Thursday, May 5, 2016

Debati mbi kullën e stadiumit dhe të Korçës, çfarë thoshte Niko Peleshi në 2011 për kullat (Video)


Prej kohësh është duke u zhvilluar një debat në lidhje me ndërtimin e një kulle së bashku me stadiumin e ri të kombëtares. Një pjesë e shoqërisë civile, opozita, por edhe arkitektë shqiptarë dhe të huaj e kundërshtojnë këtë projekt.


Një debat tjetër është zhvilluar edhe në lidhje me kullën e ngritur ne qendër të Korçës, e ndërtuar pas marrjes së mandatit nga kryetari aktual Sotiraq Filo, me mbështetjen e qeverisë dhe të zëvendëskryeministrit Niko Peleshi.
Por ajo çfarë mendonte dhe thoshte Niko Peleshi në 2011 kur kandidonte për mandatin e dytë në krye të Korçës është mjaft kontradiktore.
Peleshi akuzonte kandidatin tjetër, Andrea Mano se ishte i kapur nga persona që kërkonin prishjen e qendrës së Korçës duke ndërtuar kulla.
“Unë mendoj se qytetarët e Korçës duhet të votojnë Niko Peleshin sepse Korça vetë ka nevojë të mbrohet nga një grup financiaro – politik të cilët kanë kapur kandidatin tjetër dhe që mendojnë se përmes tij mund të realizojnë planet e tyre, pavarësisht asaj se çfarë Korça kërkon, se nuk ka lidhje me interesat e Korçës, por me interesa biznesi.
E kam thënë dje për herë të parë dhe do vazhdoj ta them, unë denoncoj sot publikisht një grup që ka kapur kandidatin tjetër dhe që ka në sirtar një projekt shkatërrues për Korçën.
Jo më kot ata sot sulmojnë planin e qendrës së qytetit, një plan që nuk ka asnjë objekt që shëmton qytetin, nuk ka kulla, nuk zë hapësira dhe sheshe publike, nuk zë sheshe të gjelbëruara, nuk ka asnjë objekt të vendosur në bulevard”, tha Peleshi në 2011.

No comments:

Post a Comment